Nga Montekarlo, ku ishte i pranishëm për çmimet sportive “Laureus Sport Award”, Totti ka folur mbi periudhën jo të mirë që po kalon Roma e tij, e jo vetëm, duke bërë edhe një deklaratë të bujshme në lidhje me derbin e fundjavës, mes Milanit dhe Interit.
“Brenda harkut të një sezoni me ulje-ngritje mund të ndodhë padyshim, mbi të gjitha për Romën, që probleme të tilla të dalin në mënyrë të papritur. Me siguri që do t’i gjejmë një zgjidhje dhe premtojmë se do të bëjmë një fundsezoni të madh”, thotë Francesco Totti, duke theksuar se, pavarësisht se shpresonte që të mos ndodhnin, ai dhe drejtuesit e tjerë të verdhekuqve do ta mbështesin deri në fund trajnerin Di Francesco.
“Na duhet të ecim përpara të bashkuar, me një objektiv të vetëm: të shkojmë sa më larg si në kampionat, ashtu edhe në Champions. Nuk jam i shqetësuar, e për këtë arsye jemi të gjithë me trajnerin, që do të bëjë përpjekjet e tij për të dalë nga kjo situatë. Shoqëria i qëndron pranë dhe do ta mbështesim deri në fund. Ai është një pikë e padiskutueshme në klubin tonë. Tani për tani nuk është ndonjë fazë tejet kritike, megjithatë do të kërkojmë që të ndryshojmë fatet tona”, tha ish-futbollisti legjendë me numrin 10 te Roma.
E kur vjen fjala për trajnerët, Totti ka evituar disa batuta që i referoheshin Spallettit. “Sa i përket trajnerëve nuk dua të flas, është një kapitull i mbyllur në të cilin nuk dua më të hyj. Tani mendojmë vetëm për Eusebion, që do të përpiqet ta bëjë sa më të madhe këtë skuadër”.
Roma e tij, pavarësisht vështirësive të kohëve të fundit, mbetet ende në garën e ashpër për një vend në Champions League sezonin e ardhshëm.
“Roma, Lacio dhe Interi janë skuadrat që do të luajnë deri në fund në këtë duel. Do të jetë një konkurrencë treshe deri në fund, ndaj shpresojmë që të mos bëjmë më hapa fals”.
Por një rrezik për të treja këto skuadra duket se përbën Milani, që është afruar ndjeshëm pas 10 rezultateve pozitive të kohëve të fundit. Totti, gjithsesi nuk beson shumë. “Ndoshta edhe mund të futet në Champions, por nëse ke 3 skuadra përpara është shumë e vështirë që të trija të bëjnë hapa fals. Ndaj besoj se do të jetë e vështirë për ta. Derbi i Milanos në fundjavë? Shpresoj që të fitojë Interi, sepse është më i fortë krahasuar me Milanin”, thotë Totti, duke shkaktuar habi.
Ai shquhet si futbollisti që ka shënuar golat e tij më të bukur ndaj zikaltërve, thuajse në çdo takim të luajtur në “San Siro” e jo vetëm, por këtë herë duket se nga halli bën tifo për Interin.
Championsin, në fakt Roma po e luan këtë sezon dhe pret me padurim ndeshjen e kthimit të 1/8-ave kundër Shakhtarit, me ukrainasit që kanë fituar sfidën e parë. Por drejtuesi i verdhekuqve është optimist. “Të gjithë mbetëm të habitur nga pjesa e dytë e zhvilluar në Ukrainë. Megjithatë, në fund rezultati na jep mundësinë të konsiderohemi me mundësi të barabarta, pasi kemi çdo mjet të mundshëm për të përmbysur atë rezultat. Edhe pse detyrimi për ta fituar ndeshjen e kthimit nuk është edhe aq i thjeshtë”.
Top Channel