Shqiptarët në “Berlinale”, çmime për filmat nga Kosova

27/02/2018 11:59

Filmat shqiptarë e kosovarë nuk arritën të kapërcejnë garat e Berlinales, por në shfaqjen e madhe gjermane të kinematografisë nuk munguan emrat shqiptarë, e madje as çmimet.

Regjisorja holandeze, Sarah Veltmeyer u nderua me “Ariun e kristaltë” në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër në konkurrimin për të rinj “Generation14plus”.

“Jam e lumtur, por ende nuk po më besohet”, tha ajo për “Deutsche Welle”-n.

“Kiem Holijanda”, i xhiruar në Kosovë me aktorë shqiptarë, ishte i dyti film i regjisores së re dhe i pari me buxhet.

Juria duket se mbeti me mjaft mbresa nga ngjarja e së përditshmes kosovare që ai pasqyronte. Të vlerësuar u ndienë edhe 4 aktorë të këtij filmi: dy vëllezërit Andi dhe Florist Bajgora, Arbnesha Grabovci-Nixha dhe Shpëtim Kastrati.

Kosovës i shkoi dhe çmimi “Lola e artë”, apo çmimi gjerman për skenarët e paxhiruar ende, i dhënë në fillim të festivalit, të cilin e fitoi Visar Morina. Filmi i tij “Exil” flet për një emigrant që punon në një firmë farmaceutike dhe vë në fokus përplasjet kulturore në të përditshmen e punës.

“Ballkani, – thotë “Deutsche Welle” duke cituar drejtorin e Qendrës Kinematografike të Shqipërisë, Ilir Butka, – ka dalë paksa nga vëmendja e festivaleve të mëdha, e tani që vëmendja politike nuk është më e drejtuar nga rajoni, nevojiten më shumë fonde nga shtetet”.

“Financimi që ne disponojmë aktualisht, si në Kosovë, edhe në Shqipëri, – shpjegon ai, – është i barazvlefshëm me financimin e një filmi të vetëm në Europë, e kështu ne nuk mund të ndërtojmë një kinematografi, aq më tepër kombëtare”.

Top Channel