Ndalesa e radhës së turit ballkanik të Jean-Claude Juncker ishte Beogradi, ku kreu i Komisionit Europian përsëriti mesazhin që Brukseli po përpiqet me të gjitha mënyrat t’ia bëjë të qartë Serbisë. Ajo është vërtet në krye të listës së anëtarësimit, bashkë me Malin e Zi, por pa zgjidhur çështjet territoriale nuk do të bëhet dot pjesë e bllokut.

Gjatë takimit me kreun e shtetit serb, Aleksandar Vuçiç, Juncker bëri thirrje për një marrëveshje ligjore detyruese mes Beogradit dhe Prishtinës. “Procesi i anëtarësimit, – theksoi presidenti i krahut ekzekutiv të BE-së, – mbështetet në meritat e secilit vend kandidat, e rrjedhimisht edhe data e anëtarësimit të Serbisë varet prej saj”.

“E di që shumë njerëz flasin për vitin 2025. Dua të jem i qartë. Ky nuk është premtim, por perspektivë, inkurajim, sepse vendi që synon të anëtarësohet duhet të tregojë guxim në atë rrugë. Ne nuk mund të importojmë konflikte dypalëshe. Është me rëndësi që ato të zgjidhen para hyrjes në BE, sepse duam që vendeve të Ballkanit t’u ofrojmë qëndrueshmëri dhe jo të bartim destabilitet”, tha Juncker.

Ideja e kompromisit me Prishtinën gjeti edhe mbështetjen e Vuçiçit.

“Serbia, – tha ai, – duhet ta kuptojë sesa e rëndësishme është një gjë e tillë, në të kundërtën do të mbytet në të kaluarën e saj”.

Presidenti serb nuk e sqaroi se cili mund të jetë kompromisi në fjalë, por kundërshtoi – siç tha, – zërat në vendin e tij që thonë se “më e mira është të mbahet një konflikt i ngrirë”, e madje shtoi se duhet të gjendet një zgjidhje historike për marrëdhëniet me shqiptarët “në një mënyrë tjetër dhe jo me luftëra” dhe dy popujt me numrin më të madh të jenë miq.

Top Channel