Një nga argumentat e kryebashkiakut Erion Veliaj në favor prishjes së godinës së teatrit kombëtar është prania e azbestit, një material i ndaluar në të gjitha vendet e Bashkimit europian dhe më gjerë, që mund të shkaktojë kancer në mushkëri.

“Kemi pasur më shumë funerale sesa premiera”, deklaronte Veliaj.

Por a po i vret teatri artistët? Dy prej tyre, Altin Basha dhe Kastriot Çipi kanë mendime të ndryshme.

“Është e vërtetë që vitet e fundit ka patur disa vdekje të parakohshme aktorësh. Por është po kaq e vërtetë që jo të gjithë kanë vdekur nga kanceri i mushkrive. Në asnjë rast kjo nuk ka lidhje me thithjen e grimcave të azbestit. Në këtë ndërtesë nuk ka azbest. Pllakat e pupulitit nuk përmbajnë azbest. janë tallash, ashkla druri dhe beton të presuara bashkë”, thotë Kastriot Çipi.

“Është e vërtetë që ka ekzistuar kjo ide, ky diskutim. Për shkak të disa ikjeve të shpejta të disa aktorëve shumë të njohur të TK në një kohë shumë të shkurtër. Praktikisht ajo që unë di është që ndërtesa ka qenë e gjitha e mbuluar me eternit. Në vitet 2000 është bërë rikostruksioni, catia etj, por ai është material i rrezikshëm. Është një material që njihet që ka lidhje me kancerin e mushkrive. Se sa e lidhur është kjo me faktin që disa aktorë shumë të njohur kanë ikur nga kjo jetë për të njëjtën arsye këtë nuk di ta them, ajo që di të them dhe që e mbështes fort është idea për një teatër të ri”, deklaron Altin Basha.

Fakt është se shumë aktorë të njohur si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, etj, i kaluan të 80-tat. Po po aq e vërtetë është se në vitin 2013 u ndanë nga jeta me sëmundje të rëndë aktorët Fatos Sela dhe Roland Trebicka, të dy 65 vjeç, kurse një vit më vonë ndërroi jetë po nga sëmundje e rëndë Fadil Kujovska, 63 vjeç.

A ka një lidhje shkak/pasojë mes ndarjes nga jeta të këtyre aktorëve dhe pranisë së azbestit në godinë? Këtë mund ta thoshte me siguri vetëm një raport zyrtar. Artistët mbeten të lirë të debatojnë nëse duhet apo nuk duhet ruajtur godina, disa duke i qëndruar besnik vetvetes, disa duke ndryshuar edhe qëndrim

“Për mua në atë deklaratë është fakti që ka një vendim për një teatër të ri. Dhe për mua kjo gjë është shumë e rëndësishme. Këtu duhet të përqëndrohet diskutimi dhe debati”, thotë Basha.

“Zoti Veliaj po mundohet të mbulojë faktin që ka marrë një vendim për të shembur një ndërtesë të pabazuar në verdiktin e institucioneve të specializuara, pa marrë parasysh gjendjen teknike të ndërtesës, pa mendimin e konstruktoreëve, inxhinierëve, arkitektëve, urbanistëve dhe për ta bërë këtë gjë sa më shpejt dhe pa debat, por fillon të sajojë historira si kjo”, shprehet Çipi.

Burimet i thanë Top Channel se Bashkia e Tiranës po diskuton me Qeverinë disa projekte për të përcaktuar variantin final.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA