Stërvitja e Vllaznisë, tentohet sulm me thikë ndaj trajnerit Gjoka

22/02/2018 17:48

Një ngjarje e rëndë u regjistrua në fundin e stërvitjes së skuadrës së Vllaznisë, kur trajneri Ernest Gjoka ishte objekt i një sulmi fizik me armë të ftohtë, fatmirësisht pa pasoja.

Një person i armatosur me një thikë tentoi të godiste teknikun e skuadrës shkodrane, por Gjoka u shmang duke evituar agresionin, që mund të rezultonte fatal për jetën e tij.

Më parë, agresori rreth 26 vjeç e kishte qëlluar trajnerin Gjoka me grusht nga pas.

Policia erdhi menjëherë në fushën sportive “Reshit Rusi”, por pa mundur të arrestojë autorin e sulmit, ndërsa janë marrë në pyetje edhe 3 persona, si të dyshuar për lidhje me ngjarjen.

Trajneri Ernest Gjoka shkoi në Komisariatin e Shkodrës për të dhënë dëshminë e tij, në lidhje me konflikte të mundshme që mund të ketë.

Mësohet se në muajin dhjetor, trajneri Gjoka ka kërkuar praninë e policisë në stërvitjet e Vllaznisë, por nuk dihet nëse kjo është bërë për konflikte personale, apo për të vendosur rregull te tifozët.

Për ngjarjen e rëndë reaguan edhe Bashkia e Shkodrës dhe drejtues të Klubit të Futbollit Vllaznia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA