Pas një seance plenare maratonë, që ka zgjatur gati 20 orë, Parlamenti grek ka aprovuar me shumicë votash krijimin e një Komisioni të shqyrtimit paraprak, për hetimin e skandalit të madh ekonomik të gjigantit farmaceutik “Novartis”, në të cilin përfshihen 10 emra të fuqishëm të politikës greke, konservatorë dhe socialistë, që kanë shërbyer në ministritë kyçe të Shëndetësisë dhe Financës prej vitit 2006 deri në vitin 2015.

Propozimi që paraqiti mazhoranca qeveritare është pranuar nga 218 prej 300 deputetëve të pranishëm, pasi ata të “Demokracisë së Re” kanë refuzuar të votojnë.

Kështu, para një komisioni prej 21 deputetësh do të hetohen individualisht, në bazë të dosjes që ka sjellë në Parlament organi i Prokurorisë, dy ish-kryeministrat, Antonis Samaras dhe Panagiotis Pikrammenos, si dhe 8 ish-ministrat, midis tyre Komisioneri europian Dimitris Avramopoulos, nënkryetari i “Demokracisë së Re” Adonis Georgiadis, ish-udhëheqësi i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, si dhe guvernatori i Bankës së Greqisë, Yannis Stournaras.

Edhe njëherë, salla e Parlamentit u shndërrua në një arenë akuzash politike nga deputetët e të gjitha partive, që në thelb kanë pranuar ekzistencën e skandalit, ndërsa të implikuarit kanë refuzuar çdo akuzë.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka deklaruar se grekët duhet të dinë të vërtetën, ndaj dhe qeveria e tij po ndihmon të zbardhet ky skandal, i cili përllogaritet të ketë shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit, më shumë se 12 miliardë euro në vit.

Rasti i “Novartis” në Greqi është pjesë e një skandali global të kolosit zviceran farmaceutik, që akuzohet për praktikat e korruptimit të zyrtarëve të lartë dhe mjekëve, në mënyrë që të mbizotëronte në tregun e barnave, duke rritur çmimet e tyre ndaj individëve dhe sistemit publik shëndetësor, e duke përfituar miliarda euro nga fondet, kryesisht të skemave të sigurimeve shoqërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA