Kombëtarja italiane e futbollit do të ketë një trajner deri në fundin e këtij sezoni, për t’i dhënë mundësi përzgjedhësit të ri që të formatojë skuadrën dhe t’i japë idetë e tij, pas dështimit të bujshëm për në Botërorin 2018.

Roberto Mançini dhe Claudio Ranieri duket se janë dy kandidatët përfundimtarë që do të diskutojnë mes tyre emërimin prestigjioz në përfaqësuesen e Apenineve, pasi Antonio Conte e nxori veten jashtë garës, të paktën atë aktuale.

Kontrata për atë që do të zgjidhet do të jetë dyvjeçare, deri në garën hapëse të Romës për finalet e “Euro 2020”-s. Roberto Mançini ka ende dy vite kontratë me Zenitin e Shën Pjetërburgut, por akordi me formacionin rus parashikon lirimin pa penalitete në fund të turneut, që është pikërisht më 13 maj.

Tekniku nga Iesi është në “pole position” dhe sipas zërave pranë Federatës italiane të Futbollit (FIGC), ka takuar jo pak herë drejtuesit e rinj.

Në ditët e fundit, ndërkohë, ka marrë shumë kuota edhe emri i Claudio Ranierit, trajneri që frymëzoi Leicester Cityn në një titull përrallor në vitin 2016, por tani endet mes alpeve franceze me Nantën pa lënë gjurmë. Asnjë prej tyre nuk ka pretendime të mëdha për pagën e trajnerit të kombëtares, për të cilën Federata nuk do që t’i kalojë 5 milionë eurot në sezon.

Ky post konsiderohet realizimi i një ëndrre dhe kushdo që do ta marrë, Mançini apo Ranieri, do të kenë detyrën të ringrenë imazhin e masakruar pas dështimit për në Botërorin rus. Tekniku i ri do të jetë në stolin italian për ndeshjen e 1 qershorit kundër Francës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA