Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, pasditen e së martës, gjatë së cilës ai e ka informuar atë për dy prej çështjeve më të mprehta me të cilat përballet politika greke ditët e fundit, siç janë çështja e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe marrëdhëniet greko-turke.
Për sa i përket çështjes së emrit të fqinjit verior të Greqisë, Tsipras i ka theksuar Kancelares gjermane nevojën për një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi, në të cilën të përfshihet edhe ndryshimi i emrit kushtetues të këtij shteti.
Gjithashtu, ai iu është referuar gjerësisht provokimeve turke, duke thënë se respektimi i së drejtës ndërkombëtare në Egje dhe Mesdhe nga ana e Ankarasë është kusht për avancimin e marrëdhënieve turko-europiane.
Në të njëjtin kontekst, ai ka informuar Merkelin edhe për bllokimin nga ana e Turqisë të kërkimeve për gaz natyror të kompanive të huaja në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros.
Alexis Tsipras do të bisedojë më gjerësisht për problemet e shkaktuara nga Ankaraja, në një takim me Angela Merkelin në Bruksel, të premten, në kuadër të Samitit të 27 vendeve anëtare të BE-së, ndërsa njoftohet se Kancelarja gjermane do të ketë edhe një takim me kryeministrin Zaev, që sipas burimeve qeveritare greke do të jetë përcaktues në ecurinë e negociatave mes Athinës dhe Shkupit.
Top Channel