Një ish-lojtar i kombëtares braziliane të futbollit është kërcënuar me vdekje për shkak se ka kritikuar ashpër talentin e ri të Seleçaos, Vinicius.
Bëhet fjalë për Juninho Pernambucano, i cili ka shkëlqyer në Europë me Lyon dhe që mbahet mend për goditjet e pabesueshme të dënimit. Gjatë komentit të ndeshjes Flamengo-Botafogo, Juninho kritikoi festimin e golit nga ana e Vinicius, duke thënë se ishte mungesë respekti ndaj kundërshtarit.
“Duhet respektuar ai që humb. Nëse është aq burrë sa për të bërë gjestin e qaramanit, duhet të bëhet burrë edhe për të folur para mediave. Nuk shoh askënd te Reali, skuadra e tij e ardhshme, që të bëjë gjeste të tilla. Nuk ishte e nevojshme ajo sjellje, aq më shumë me rezultatin 3-1”, tha Juninho për “Globo TV”.
Por, pas këtyre deklaratave, disa persona e kanë kërcënuar në Twitter ish-yllin e Lyon. Kjo ka bërë që Juninho, i cili i ka publikuar kërcënimet, të heqë dorë nga komenti i finales Flamengo-Boavista.
“Plehrë, do të të vras o bir k…”, lexohej në një nga mesazhet.
Top Channel