Humbi avionin, sizmologu i shpëton aksidentit tragjik

19/02/2018 11:46

Për fat të mirë, kompania ajrore iraniane ka gabuar në konfirmimin e saj zyrtar se kanë humbur jetën të 66 pasagjerët e ndodhur në bordin e avionit, që u rrëzua në malet “Zagros”.

Sizmologu grek, Akis Tselentis ka humbur avionin në minutat e fundit, sepse është vonuar gjatë rrugës për në aeroport, e i ka shpëtuar fatit tragjik të udhëtarëve të tjerë.

Më vonë, kompania ka konfirmuar se totali i viktimave ishte 65 persona, pasi një prej pasagjerëve humbi fluturimin.

I tronditur pa masë, sizmologu grek ka deklaruar për mediet në Greqi se “do të sqarojë çdo gjë kur të kthehet”.

Më pas ka shpjeguar se u vonua rrugës dhe për fat nuk ka arritur të marrë avionin e kompanisë “Aseman Airlines”, që u rrëzua pak më vonë.

Tselentis, një nga profesorët më në zë të Gjeoshkencës, për shumë vite edhe drejtor i Institutit Gjeodinamik të Observatorit të Athinës, ishte i vetmi person i huaj nga të gjithë pasagjerët e avionit iranian.

Top Channel