Në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se u diskutua kryesisht për mijëra familje shqiptare që ndodhen në nevojë.
Ai akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Edi Rama, madje e cilësoi holokaust nxjerrjen nga skema e ndihmës sociale të disa familjeve.
“Kohën më të madhe të diskutimeve e ka marrë drama e madhe e dhjetra-mijëra familjeve shqiptare që janë hequr në mënyrë të paligjshme dhe kriminale nga lista e ndihmës ekonomike. Kjo është një dramë njerëzore dhe emergjencë kombëtare. Kemi një qeveri dhe një Kryeministër që po përdor metoda naziste, genocidale dhe spastrimi të qytetarëve të vet”, deklaroi Basha.
Në komentin e shkurtër para gazetarëve pas mbledhjes së grupit, kreu i demokratëve tha gjithashtu se opozita dhe deputetët e saj janë sinjalizuar nga mijëra familje për këtë dhe se po punohet për të kuptuar përmasat e këtij holokausti, siç e quajti ai.
“Nuk ka zgjidhje tjetër për këto familje, ose do të shuhen, ose do të largohen nga vendi duke krijuar një tjetër valë drejt BE-së. Ka dy javë që ministrja që duhet të çohet për ndjekje penale mban të fshehur se mbi çfarë kriteresh u hoqën këto familje nga ndihma ekonomike. Përflitet se për kriter ka qenë prania e televizorit apo një frigoriferi. Ka familje që mund të kenë një televizor të dhuruar. Ligji e thotë qartë, që ndihmë ekonomike përfitojnë ato familje që nuk kanë të ardhura. Të kesh një televizor nuk do të thotë që ke të ardhura. Kjo përbën shpërdorim të detyrës”, shtoi ai.
Basha shtoi gjithashtu se Partia Demokratike do të formalizojë të martën kërkesën e saj për mocion me debat për këtë temë.
Top Channel