Izraeli godet Gazën, vret dy palestinezë për plagosjen e 4 ushtarëve

18/02/2018 10:36
I afërmi i një prej viktimave palestineze, jashtë morgut në Rafah

Izraeli ka shkaktuar vdekjen e dy adoleshentëve palestinezë në Gaza, sipas asaj që deklarojnë këtë të dielë zyrtarë lokalë të shëndetësisë, pasi forcat e vendit hebre kryen sulme mbi 18 objektiva që u përkisnin grupeve të militantëve në këtë enklavë palestinezësh, si kundërpërgjigje të një shpërthimi që plagosi 4 ushtarë izraelitë.

Sulmi, që nisi të shtunën e u duk se përfundoi mëngjesin e së dielës, ishte një nga më të mëdhenjtë në Rripin e Gazës që prej luftës së vitit 2014 mes Izraelit dhe militantëve palestinezë.

Ai nisi me një shpërthim bombe në kufirin mes Izraelit e Gazës, që plagosi trupat ushtarakë izraelitë. Izraeli u përgjigj me ato që ushtria tha se ishin sulme ajrore dhe goditje me tank ndaj 18 objektivave që i përkisnin Hamasit, grupi militant më dominues në Gaza, por edhe xhihadistëve islamikë.

Grupet e militantëve në Gaza zakonisht i evakuojnë paraprakisht objektivat potencialë të sulmeve, në pritje veprimeve hakmarrëse ndaj izraelitëve. Ushtria e vendit hebre tha se disa objekte ku prodhoheshin armë, kampet stërvitore dhe vendvrojtime u goditën nga sulmet e fundit.

Mjekët në Gaza thanë se të dielën morën trupat e dy adoleshentëve 17-vjeçarë palestinezë, të vrarë nga sulmet izraelite me tank. Por ushtria hebreje deklaroi se këto të fundit patën për shënjestër të dyshuarit, që sipas ushtarëve po përpiqeshin të kalonin në territorin izraelit.

Megjithatë, deri më tani asnjë grup militantësh në Gaza nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për shpërthimin e së shtunës. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman tha se Komitetet e Rezistencës Popullore, një nga grupet me të vogla të armatosura në Gaza, janë përgjegjës për aktivizimin e bombës që plagosi ushtarët izraelitë.

“Ne do t’i nxjerrim nga strofulla përgjegjësit e incidentit të djeshëm”, tha Lieberman për “Radio Izrael” këtë të dielë, duke shtuar se Hamasi është përgjegjësi kryesor për atë çfarë po ndodh në Gaza kohët e fundit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Hamasit, Fawzi Barhoum fajësoi Izraelin për aktet e fundit të dhunshme.

“Hamasi bën përgjegjës pushtuesit izraelitë për pasojat e përshkallëzimeve të tyre të vazhdueshme ndaj popullit tonë”, tha Barhoum në një deklaratë.

Tensionet janë rritur së tepërmi përgjatë kufirit të Gazës me Izraelin, që pas njohjes që i bëri presidenti amerikan, Donald Trump, në muajin dhjetor, Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Top Channel