Zëri i tij ishte i fundit që dëgjuan studentët e shkollës së mesme në Parkland të Floridas, ndërsa i lajmëronte përmes altoparlantit se zhurmat që po dëgjonin në kamp, ishin krisma armësh.

Por Aaron Fesi, zv. trajneri i ekipit të shkollës, që ishte gjithashtu pjesë e sigurisë, nuk arriti t’i shpëtojë tragjedisë së 14 shkurtit, kur një ish student i shkollës, Nikolas Cruz hapi zjarr kundër nxënësve e mësuesve, duke shkaktuar 17 viktima.

Vdiq si hero, thonë familjarët dhe kolegët e tij, sipas të cilëve, Aaron u ishte bërë mburojë studentëve, për t’i mbrojtur nga plumbat. Edhe profesori i gjeorgafisë, Scott Biegel vdiq nga dora e 19-vjeçarit Cruz, pasi favorizoi largimin e një grupi studentësh.

Ai hapi derën për t’i mundësuar daljen, por nuk arriti të shpëtonte edhe vetë. Vrasësi arriti ta bllokojë dhe e vrau në vend. Nga arma gjysmë automatik Ar-15, u vra edhe Chris Nixon, drejtori atletik i shkollës dhe trajner i mundjes, i cili vdiq në spital për shkak të plagëve të marra.

Fund tragjik edhe për lojtaren e futbollit, Alyssa Alhadeff. Mes lotëve, familja e saj iu drejtua studentëve të mbijetuar, duke u kërkuar të bëjnë diçka të mrekullueshme në jetën e tyre për Alisën.

Vdiq në vend edhe notari Nick Dworet, i cili sapo ishte pranuar në universitetin e Indianapolis, me një bursë studimi, pikërisht për aftësitë e tij si notar. Mes viktimave, edhe 15-vjeçarët Peter Wang dhe Luke Hoyer.

Pas disa orëve dëshpëruese, u lajmëruan edhe prindërit e Jaime Guttenberg, 17 vjeç. Fatmirësisht, djali tjetër që frekuentonte po të njëjtën shkollë, shpëtoi. Gina Montalto,14 vjeç, e cila ishte vullnetare në shkollë, është një prej viktimave më të reja.

Top Channel