Në një intervistë për televizionin “ALPHA”, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, i pyetur për incidentin e fundit pranë ishullit Imia, kur një anije ushtarake greke është përplasuar nga një anije turke, ka deklaruar se nëse do të ndodhë përsëri një provokim i ngjashëm nga pala turke, ajo greke nuk do të sillet më në mënyrë paqësore.
Nuk duhet të ndodhë më, ka thënë ai, duke shtuar se “ishujt Imia janë greke dhe Greqia nuk është as Siria dhe as Iraku, por një shtet me mbrojtje të zhvilluar, me sisteme moderne, me aleatë të mirë dhe me një diplomaci të lartë”.
“Turqia është bërë shumë nervoze. Në incidentin e ndodhur rreth ishujve Imia arriti ‘vijën e kuqe’ dhe në një kuptim e tejkaloi atë. Për këtë u thamë se nuk do të ketë më nga ne një sjellje të tillë paqësore”, tha Nikos Kotzias.
Madje Kotzias nuk ka përjashtuar mundësinë që Athina të kërkojë nga Ankaraja edhe dëmshpërblim për anijen e dëmtuar.
“Turqia është nevrike në këto momente, pasi shikon se Athina po mbyll frontet e hapura që ka me fqinjët, Zonën Ekonomike Ekskluzive me Shqipërinë, çështjen e emrit me Shkupin, ndërsa ajo nuk po shkon mirë në Siri. Në Irak fronti është i hapur, me Armeninë kufijtë i ka të mbyllur, ndërsa edhe me Qipron sillet si kauboj për shkak se, në ZEE-në e Qipros janë gjetur rezerva të mëdha gazi natyror”, ka thënë kreu i diplomacisë greke.
I pyetur për të komentuar deklaratën e këshilltarit të Erdoganit, Yiğit Bulut, kur tha se “Turqia është një gjigant dhe Greqia një mizë”, Kotzias ka thënë shprehimisht: Keni parë si vrapon një elefant nga frika, kur shikon një mi?
Top Channel