Masakra në shkollë, Trump fajëson mësuesit: Duhet të lajmëronin

15/02/2018 21:28

Fajin për tragjedinë që tronditi Floridan ditën e mërkurë, Presidenti amerikan Donald Trump ja faturon mësueseve dhe shokëve të klasës së ish-studentit vrasës, të cilët siç thotë, nuk denoncuan problemet psiqike të 19 vjeçarit.

Në një mesazh në rrjetin social Twitter, lideri i Shtëpisë së Bardhë pohon se kishte pasur shumë sinjale për problemet mendore të vrasësit dhe autoritetet duhet të ishin lajmëruar. Më pas, Presidenti reagoi edhe përmes një fjalmi zyrtar nga Shtëpia e Bardhë.

“Jemi të bashkuar si një familje e vetme amerikane dhe vuajtja juaj është edhe e jona. Duhet të përballemi me problemin e vështirë të shëndetit mendor. Nuk është e mjaftueshme të adoptosh masa që mund të na duken si të përshtatshme për të bërë ndryshimin. Jemi ne që duhet ta bëjmë ndryshimin,” tha Trump.

Edhe Ministri i Drejtësisë Jeff Sessions, pranon për herë të parë se ka diçka që nuk shkon me lehtësinë me të cilën u shitën armët edhe atyre që shfaqin shenja të problemeve psiqike.

Vrasësi i Parkland, 19 vjeçari Nikolas Cruz, kishte siguruar një armë automatike Ar-15 në mënyrë të ligjshme. Ndërkaq nga Florida vijnë lajme të tjera shqetësuese. FBI-ja pranoi se ishte paralajmëruar mbi adoleshentin që ndërmori masakrën në shkollën nga ku ishte përjashtuar.

Kruz, i cili është paditur për 17 akuza për vrasje pas arrestimit, kishte lënë një koment në një video të postuar në Youtube vitin e kaluar, ku thoshte se do të bëhej një profesionist masakrash në shkolla e se donte të vdiste duke vrarë njerëz.

Studentët dhe mësuesit e shkollës prej kohësh ishin në gjendje alarmi. Shkolla kishte shpërndarë edhe një email për të paralajmëruar personelin dhe Cruz ishte përjashtuar për sjellje të keqe.

Top Channel