Avokati i Trump e pranon: I dhashë 130 mijë $ aktores së filmave porno

15/02/2018 02:52

Avokati personal i presidentit amerikan Donald Trump, pranoi se i kishte dhënë privatisht 130 mijë dollarë një aktoreje pornografike, në vitin 2016.

Deklarata për median amerikane New York Times, vjen pas raportimeve se aktorja e filmave për të rritur, e njohur si Stormy Daniels, ishte paguar për të nënshkruar një marrëveshje që do ta ndalonte atë të fliste për marrëdhënien e pretenduar me manjatin e pasurive të patundshme, Donald Trump. Fillimisht ajo pohoi se kishte pasur një lidhje me Trump gjatë një interviste në 2011-ën.

“As organizata Trump e as ekipi i fushatës së tij, nuk u bënë pjesë e transaksionit ndaj zonjës Daniels, e as më rimbursuan për pagesën, as në mënyrë indirekte”, tha avokati Michael D Cohen për New York Times.

Përfaqësuesi ligjor i Trump sqaron se kishte thënë të njëjtën gjë edhe për Komisionin Federal të Zgjedhjeve, pasi një grup vëzhguesish ngriti padi kundër pagesës, me pretendimin se ajo kishte shërbyer si një lloj kontributi politik për fushatën e republikanit.

‘Pagesa u bë në mënyrë të ligjshme”, shtoi avokati. Në intervistën e dhënë në vitin 2011 për revistën InTouch, aktorja e filmave pornografike, emri i vërtetë i së cilës është Stephanie Clifford, rrëfeu se kishte nisur një raport seksual me Trumpin në vitin 2006, pak pasi Melania Trump kishte sjellë në jetë djalin e tyre Barron.

Pretendimet u rishfaqën në janar kur Wall Street Jounal raportoi se gruas i ishin dhënë para për ta bindur të mos fliste për çështjen gjatë fushatës zgjedhore.

Top Channel