Federata Italiane e Futbollit (FIGC) vijon “gjuetinë” e saj në kërkim të trajnerit të ardhshëm të kombëtares axurre. Për momentin nuk ka ndonjë zhvillim mbi emrat e mundshëm të kandidatëve, por në këtë listë duket se është përfshirë edhe një tjetër: Gian Piero Gasperini.
“Nuk do të kisha asnjë vështirësi po të merrja atë rol, edhe pse detyra e trajnerit të kombëtares është diçka krejt e ndryshme nga ajo e trajnerit të një ekipi”, shpjegon tekniku aktual i Atalantës.
Në këtë mënyrë, Gasperini nuk e përjashton në të ardhmen një impenjim me axurrët. Përkundrazi, ndihet i gatshëm për hapin e madh në karrierë.
“Kam dëgjuar zëra mbi mua, besoj se është një mirënjohje – thotë më tej për “Tuttosport”. – Por nuk kam asnjë informacion të drejtpërdrejtë nga Federata”.
Një deklaratë goditëse ishte edhe ajo për Interin. “Rikthimi në një ekip të madh? Nuk mbaj mend të kem qenë ndonjëherë në një skuadër të madhe. Interi? Nuk ishte një skuadër e madhe, të paktën sa i përket vlerave teknike”.
Ndërkohë, Alessandro Costacurta, duke folur për të njëjtën çështje, atë të trajnerit të Italisë, është shprehur se preferencat e tij janë mes Sarrit dhe Allegrit.
“Mendoj se trajnerët italianë janë më të përgatiturit në botë dhe kemi një fashë të gjatë emrash që mund të përbëjnë profilin ideal për postin e trajnerit të kombëtares së Italisë. Është e vërtetë se janë që të gjithë nën kontratë, por pas dy muajsh mund të sqarohet diçka rreth kësaj situate”, tha ish-mbrojtësi i Milanit.
Top Channel