Spanja kërkon rinovimin me dy vite për Lopeteguin

12/02/2018 12:32

Federata Spanjolle e Futbollit nuk dëshiron të humbasë kohë dhe kërkon rinovimin e menjëhershëm me trajnerin e përfaqësueses, Julen Lopetegui.

Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit në vend pritet të ratifikojnë marrëveshjen ekzistuese me Lopeteguin për zgjatjen e kontratës së tij edhe për dy vite të tjera, deri në përfundim të Euro 2020.

Julen Lopetegui e mori drejtimin e përfaqësueses spanjolle në vitin 2016, pas përfundimit të Europianit të Francës, e rezultatet flasin qartë në favorin e tij. Me Lopeteguin në pankinë, Spanja arriti të kualifikohej në Botërorin e Rusisë, si e para e grupit, ndërkohë që nuk njeh asnjë humbje.

Në 16 ndeshjet e luajtura me Lopeteguin në pankinë, Spanja ka një bilanc prej 12 fitoresh dhe 4 barazimesh, duke rifituar entuziazmin e humbur në Botërorin 2014 dhe Europianin 2016.

Ndërkohë, Lopetegui e ka përpiluar planin e përgatitjeve të Botërorit të Rusisë dhe në muajin mars, Spanja e tij do të luajë dy ndeshje miqësore me Gjermaninë dhe Argjentinën, ndërkohë që dy sfida të tjera do t’i luajë përpara fillimit të Botërorit.

Spanja është në grupin D të Kupës së Botës në Rusi, së bashku me Portugalinë, Korenë e Jugut dhe Senegalin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA