Vullnetarët e “Fundjavë Ndryshe” kanë mbjellë 200 pemë të reja në parkun e Liqenit të Farkës.
“I jam shumë mirënjohës Arbër Hajdarit dhe gjithë vullnetarëve të “Fundjavë ndryshe”. Nevojë njerëzore është edhe gjelbërimi, ajri i pastër. Më pëlqen që sot po adresojmë këtë nevojë, që është në fakt nevoja ulëritëse e një qyteti për më shumë hapësira të gjelbra”, u shpreh kreu i bashkisë Erion Veliaj.
Ai tha se me investimet e realizuara në këtë zonë, por edhe me pemët e mbjella gjatë këtyre muajve, Liqeni i Farkës po shndërrohet në destinacion argëtimi dhe frymëmarrje e dytë për qytetin e Tiranës.
“Sot jemi në cepin tjetër të liqenit të Farkës. Njerëzit kanë parë hyrjen, ku është punuar shumë, por tani e kemi zhvendosur hartën e ndërhyrjeve edhe në fundin tjetër, që është më pranë zonës së fshatit, ku shumë banorë të zonës kanë bashkëpunuar dhe thonë: për sa kohë që e dimë që nuk do ndërtohen pallate buzë liqenit, më mirë na e gjelbëroni. Me kontributin e “Fundjavë ndryshe” sot i kemi dhënë qytetit një total prej 200 pemësh”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës ftoi edhe një herë qytetarët që të shfrytëzojnë ditët e mbetura dhe ngjarjet e tyre më të rëndësishme t’i përjetësojnë duke mbjellë një pemë. Në mënyrë të veçantë, ftoi të dashuruarit që 14 shkurtin ta festojnë edhe duke mbjellë një pemë si dëshmi e dashurisë së tyre.
Veliaj tha se kur mbeten edhe pak më shumë se 1 muaj nga mbyllja e sezonit të mbjelljeve, Bashkia e Tiranës është duke iu afruar synimit për të mbjellë 100 mijë pemë. “Jemi shumë afër rekordit tonë me 100 mijë pemë dhe besoj që falë kontributit që na dha sot “Fundjavë ndryshe”, jo vetëm do e kapim, por do e kalojmë këtë rekord deri në 21 mars. Kur secili jep aq sa ka mundësi, të gjitha organizatat, komunitetet, shkollat, kopshtet, çerdhet, pallatet që po ndihmojnë, mund të kemi realisht një qytet ku kanë kontribut të gjithë, jo vetëm Bashkia që e ka për detyrë, por secili që e ndien se do të lërë një shenjë në qytetin e vet”, theksoi Veliaj.
Drejtuesi i nismës “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari përgëzoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për këtë nismë, e cila sipas tij është shumë të nevojshme për vendin tonë.
Top Channel