Shkollës 9-vjeçare “Osman Myderizi” në Tiranë të hënën i ra suvaja e njërës prej klasave. E lënduar lehtë mbeti mësuesja e matematikës Elbarina Toshkallari, që u dërgua në Spitalin e Traumës, kurse fëmijët u frikësuan.
“U trembëm shumë sepse ishim…thjesht zysha ishte duke folur dhe në moment ra komplet. Nuk është se ra pjesë-pjesë, por direkt dhe zysha qëlloi rastësisht të ishte në mes. U tronditëm! Askush nuk foli, por direkt shkuam tek zysha se ajo në moment ra në tokë. I kishte rënë komplet suvaja në kokë dhe morëm ambulancën në telefon, por nuk përgjigjej. Vetëm pas disa përpjekjesh ajo u përgjigj. Na nxorën nga klasa! Lamë çantat dhe ça kishim në klasë dhe tani nuk e dimë se nuk kemi informacion. Thjesht dimë që zysha është jashtë rrezikut për jetën”, thonë nxënësit.
Të shqetësuar për çfarë kishin lexuar në media, prindërit mbërritën menjëherë në shkollë, për të mësuar për gjendjen e fëmijëve të tyre.
“Më morën në telefon që tek shkolla Osman Myderizi ka rënë një pjesë tavani. Këtu kam nipin dhe erdha me vrap të marr vesh ka ndodhur gjë s’ka ndodhur gjë. U shqetësuam shumë derisa morëm vesh se çfarë kishte ndodhur”, thonë ata.
Policia e Shtetit, së bashku me policinë bashkiake bënë këqyrjen e klasës ku ra suvaja e tavanit. Sipas nëndrejtoreshës, Lindita Gjedia, rikonstruksioni i fundit i shkollës “Osman Myderrizi” ka ndodhur në vitin 2014, ndërsa gjatë viteve të fundit ka pasur vetëm ndërhyrje të vogla.
“Aktualisht është dëmtuar vetëm zysha e matematikës, që tani ka shkuar në spitalin ushtarak për të marrë ndihmën e shpejtë. Nuk ka asnjëlloj problemi tek fëmijët. Gjendja është krejt normale. Klasa në të cilën ndodhi kjo kanë shkuar në një klasë tjetër dhe fëmijët po vazhdojnë mësimin normalisht. Ne dimë që shkolla është rikonstruktuar në vitin 2004, por ka pasur rikonstruktime të pjesshme të tavaneve. Rikonstruksion i pjesshëm do të thotë që aty ku ka pasur dëmtime të këtyre ndriçuesve janë bërë riparime së bashku me suvanë”, thotë nëndrejtoresha Lindita Gjedia.
Në urgjencën e Spitalit të Traumës mjekët dhe familjarët e mësueses Elbarina Toshkallari, thanë për TCH se gjendja e saj është normalizuar dhe sipas grafisë së kokës për fat nuk ka dëmtime.
Top Channel