Kërkesave të artistëve për refuzimin e projektit të Ministrisë së Kulturës për ndryshimet në ligjin mbi artin dhe kulturën i bashkohet edhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë.

Në një deklaratë për median nga çadra e cirkut, ata shprehën gatishmërinë për t’i shkuar deri në fund luftës së tyre për kthimin mbrapsht të projektligjit.

“Kemi luftuar me qeverinë e kaluar tre vjet që cirku që ishte në varësinë e Tiranës, që quhej Cirku i Tiranës, të kalonte cirk kombëtar në varësi të Ministrisë së Kulturës. Tashmë që po flasim, sipas amendamenteve dhe ndryshimeve që do i bëhen këtij ligji. Për të cilën gënjejnë dhe mashtrojnë që ky material i ka shkuar institucioneve, sindikatave, artistëve, shoqatave, komuniteteve të ndryshme sic pretendon ministria nuk është e vërtetë. Do vazhdojmë deri në fund luftën tonë që ky projektligj të kthehet mbrapsht”, shprehet Reshat Ibrahimi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë.

Po ashtu, kryetari i Sindikatës së Artistëve së TKOB, u shpreh për refuzimin e zhvendosjes së Operës në godinën e sotme të Teatrit Kombëtar si dhe kërkoi miratimin e statusit të artistit.

“Ministria duhet të bëjë transparencë të plotë në lidhje me projektin e ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Për lëvizjen e trupës artistike të teatrit të operës dhe baletit në TK, Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë refuzon kategorikisht. Teatri duhet të hyjë në fazë rikonstruksioni total, sepse gjendja fizike e godinës paraqet rrezikshmëri për jetën e artistëve. Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë refuzon këtë projektligj pa u miratuar statusi i artistit”, thotë Rudi Sata kryetari i sindikates se artistëve dhe punonjësve TKOB.

Edhe njëherë ndërtimi i kullës në vend të godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar është një ndër akuzat kryesore të artistëve ndaj Ministrisë së Kulturës.

“Flet ministrja për çfarë u bë TK në një kohë të caktuar para 20 vitesh dhe nuk thotë se çfarë duhet të bëhet me TK sot. Dhe kjo ministre që flet për Bingot, po e kthen TK në një pallat”, shprehet aktori Arben Derhemi.

Ndërkohë këtë të diel, Top Channel vëzhgoi se puna në Teatër Turbina po vijon, por ne fundjave atje kishte pak punëtorë duke marrë parasysh që kjo godinë duhet të jetë e përfunduar brenda prillit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA