Demarkacioni “sipas Limajt”, pro dhe kundër në Prishtinë

10/02/2018 12:33

Zv.kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, në një takim të zhvilluar në Malin e Zi është shprehur se ka një ide për zgjidhjen e problemit të demarkacionit, çështje që po zvarritet në vite, edhe pse është një prej kushteve për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas Kosova Press, Limaj beson që në rast se të dy qeveritë, e Kosovës dhe Malit të Zi, tregojnë gatishmëri për korrigjimin e gabimeve eventuale, gjithmonë duke u bazuar në marrëveshjen e arritur, atëherë ratifikimi i kësaj marrëveshjeje nga Kosova nuk do të duhej të paraqiste problem.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Limaj, ka shpjeguar se e gjithë kjo ide ende është duke u diskutuar me partnerët brenda Qeverisë së Kosovës.
Kreu i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë për Kosova Press se nuk kanë parë ndonjë version tjetër për demarkacionin dhe se propozimin e Limajt, e ka parë vetëm në media, pasi nuk janë ftuar nga askush dhe as nga Limaj që të diskutohet në lidhje me idenë e tij, për zgjidhjen e këtij problemi.

Ai thotë se janë të gatshëm të bisedojnë me këdo që mendon që demarkacioni duhet të diskutohet, por është i bindur që versioni aktual duhet të rrëzohet.

Edhe Ahmet Isufi nga AAK thotë se së pari duhet të vijë në Kuvend, versioni i parë i demarkacionit dhe ai të rrezohet dhe të fillojnë procedura të reja. Ndërsa i pyetur për idenë e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, thotë se improvizimet nuk janë të mira në këtë rast.

Në LDK vazhdojnë të bëjnë thirrje që versioni aktual i demarkacionit të procedohet në Kuvend dhe të miratohet. Kreu i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti thotë se LDK e mbështet plotësisht këtë marrëveshje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA