Demokrati Oerd Bylykbashi e quan nul procesin e votimit në seancën e të enjtes të anëtarëve për KLGJ dhe KLP. Në një konferencë për mediat, ai tha se nuk jemi përpara një rezultati ku rrëzohet lista.
“Përtej faktit që sa herë do të dilnin kandidatët e Edi Ramës, shorti është i paligjshëm po mbi të gjitha dje nuk ka ndodhur proces votimi në Parlamentin shqiptar. Kushtetuta kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të votojë me 94 vota dhe nëse nuk arrihet një rezultat pozitiv për listën, që do të thotë lista rrëzohet, në raundin e tretë listat të dala nga shorti quhen të emëruara. Dje nuk ka ndodhur proces votimi, nuk jemi përpara një rezultati ku rrëzohet lista. Procesi i votimit në Parlament është nul, për një fakt të thjeshtë kushtetues, neni 78 i Kushtetutës përcakton, Kuvendi vendos me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmë të të gjithë anëtarëve të tij përveç rasteve kur kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar. në rastin konkret parashikohen 94 vota. Kuorumi i nevojshëm i pjesëmarrjes së deputetëve në procesin e v otimit duhet të jetë së paku sa numri i votave të kërkuara për miratimin enjë akti të caktuar, duke qenë se në sallë dje ishin 73 deputetë dhe kërkoheshin 94 prezent, procesi i votimit është nul”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi la të kuptohet se për procesin e votimit në seancë Partia Demokratike nuk do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke akuzuar mazhorancën se e ka bllokuar qëllimisht këtë institucion që të mos merren vendimet me 5 vota.
“Unë ekspozova antikushtetueshmërinë e procesit, nulitetin dhe sigurisht që kjo sjell dy pasoja, paligjshmërinë dhe antikushtetueshmërinë e këtyre personave që i bën vulnerabël përballë procedurave për shkarkim. Këto nuk i duhen drejtësisë shqiptare, drejtësisë shqiptare i duhet soliditet. Duhet të keni parasysh që sot Gjykata Kushtetuese ka pesë anëtarë që kanë mandat të plotë. Një anëtar, mandat të mbaruar po vazhdon të qëndrojë në detyrë, e dini shumë mirë situatën që Gjykata Kushtetuese është bllokuar qëllimisht nga maxhoranca që mos merren vendime me 5 vota. PS ka bllokuar KED gjatë vitit 2017, vazhdon ta bllokojë gjatë 2018 me justifikimin e Vettingut, vetëm për të bllokuar emërimin e Gjykatës Kushteteues, që të plotësohet dhe të vendosë mbi këto shkelje sot e kësaj dite”, tha ai.
Demokrati Bylykbashi tha se të gjithë kandidatët pjesëmarrës të kontrolluar nga kryeministri Rama. “Është pikërisht ajo që ka ndodhur në këtë proces që u përmbyll dje. Kandidatët që dolën nga ajo listë, kemi dy kandidatë të skualifikuar qartazi nga ONM, kemi dy kandidatë që kanë qenë persona të përfshirë drejt për drejtë në dënimin e qytetarëve shqiptarë për politikë në periudhën e komunizmit, kemi kandidatë nga strukturat drejtuese të partive politike, 4 kandidatë që nuk plotësojnë kriteret ligjore”, vijoi Bylykbashi.
Ditën e hënë ishte hera e tretë dhe e fundit, por në Nënkomisionin e Posaçëm të Ligjeve nuk u ra dakord. Emrat që shorti i listoi për 5 vende në KLGJ dhe 5 në KLP nga radhët e avokatisë, pedagogëve dhe shoqërisë civile u zyrtarizuan si anëtarë edhe pse nuk gëzuan mbështetjen e 94 votave për miratimin në bllok të listave.
Top Channel