Ish ministrja e Integrimit Europian, deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha i kërkoi qeverisë të rishikojë votën e dhënë në rezolutën e Jeruzalemit, duke e theksuar si tejet të nevojshëm.
Gjastë fjalës së saj në kuvend ajo kërkoi gjithashtu që për çdo veprim që do të ndërmerret të vihet në dijeni dhe Kuvendi.
“Shqipëria minimumi do të duhet të mbante një qëndrim abstenues për të qenë politikisht korrekt dhe për të mos cënuar një marrëdhënie të gjatë strategjike me aleatin e saj më të rëndësishëm. Kemi dëgjuar gjithashtu deklarata të tipit, se ne kemi pasur një vendim të unifikuar me BE. Më vjen keq që ne mundohemi të fshihemi kaq shumë pas disa gjërave që ndjeshmëria e qytetarëve tanë është e lartë dhe i bën ata konfuz për të qenë kundra vendimit të qeverisë. Bashkimi Europian nuk ka pasur unifikim votash dhe asnjë vendim Këshillim për unanimitet. Përkundrazi shumë vende anëtare të BE-së kanë abstenuar me votën e tyre duke ruajtur një raport të drejtë mes BE dhe SHBA. Shqipëria nuk është as Gjermania, as Franca për të luajtur politikë të jashtme arrogante. Reflektimi sa më shpejtë i këtyre vendimeve të gabuara që ka kosto të rëndë për të gjithë do të jetë tejet i nevojshëm. Ndaj ne kërkojmë menjëherë nga qeveria të rishikojë votën për rezolutën për statusin e Jeruzalemit dhe të deklarojë një qëndrim jomiratues ndaj kësaj rezolute, dhe patjetër për çdo veprim që do të ndërmerret të vihet në dijeni Kuvendi i Shqipërisë”, tha Gjosha.
Ajo foli dhe për strategjinë e zgjerimit të publikuar nga BE, për të cilën i tërhoqi vëmendjes qeverisë shqiptare të plotësojë kushtet e kërkuara për çeljen e negociatave.
“Doja të tërhiqja vëmendjen e qeverisë shqiptare, se para se të gëzoheni të mirëprisni rekomandime do bënit mirë të plotësonit kushtet e kërkuara për çeljen e tyre pasi shprehet qartë pasiguria e KE për plotësimin e kritereve kryesore për Shqipërinë. I gjithë rrënimi i procesit teknik kamuflohet me akuza ndaj opozitës. Ju e dini mirë se procesi për çeljen e negociatave, gjithashtu nuk përfundon me Komisionin Europian, por një punë paralele, edhe më bindëse do duhet të bëhet me vendet anëtare. Cila është panorama sot? Shqipëria ka humbur kredibilitetin e saj si një partner serioz për vendet anëtare. Çështjet tejet sensitive si azilkërkuesit, trafikimi i qënieve njerëzore, trafikimi i drogës dhe shtimi i grupeve kriminale në disa nga vendet kryesore të BE kanë prekur në shumë mënyra sigurinë europiane. Ndaj për të ndryshuar këtë imazh duhet jo vetëm shumë punë, por edhe shumë seriozitet dhe modesti nga ju si mazhorancë, por edhe nga i gjithë spektri politik në vend”, tha Gjosha.
Top Channel