Ikën këshilltari i Trump. Ish-bashkëshortet e akuzojnë për abuzime

08/02/2018 09:18

Njëri prej ndihmësve më të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, ka dhënë dorëheqjen pas pretendimeve për abuzime nga dy ish-bashkëshortet e tij.

Sekretari i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Rob Porter nuk i pranon akuzat, duke i cilësuar si fyese dhe krejtësisht të pavërteta, por sërish njoftoi se kishte vendosur të largohej.

Akuzat e raportuara më së pari nga “Daily Mail” përfshinin dëshmitë për abuzim fizik dhe psikologjik.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi raportin se 40-vjeçari Porter nuk arriti të merrte shfajësim, pasi FBI-ja intervistoi dy ish-gratë e tij, Colbie Holderness dhe Jennifer Willoughby, të cilat tregojnë histori të ngjashme sjelljeje të vrazhdë e abuzimi, si verbal, ashtu edhe fizik.

Bashkëshortja e tij e parë, Holderness thotë se këshilltari i Shtëpisë së Bardhë e kishte goditur në vitin 2003, kur ishin në muaj mjalti në ishujt Kanarie, e disa vite më vonë e kishte qëlluar me grusht në fytyrë ndërsa kalonin pushimet në Firence të Italisë, e ka postuar edhe një foto ku shihet me syrin e nxirë.

Willoughby ka qenë e martuar me Porterin nga viti 2009 deri në 2013-n. Fjalët e pista do të fillonin që në muajin e tyre të mjaltit, nuk do të kalonin veçse disa muaj e do të nisnin edhe abuzimet fizike. Roli i Porterit në Shtëpinë e Bardhë përfshinte punën me presidentin dhe shefin e tij të stafit, John Kelly.

Top Channel