Trump këmbëngul ta bëjë intervistën me Mueller

07/02/2018 17:57

Avokatët e presidentit po përpiqen të frenojnë mundësinë e përballjes me Robert Mueller, por Donald Trump duket se është mjaft i zellshëm për të folur me prokurorin special.

Njerëz të afërt me Trump thanë për CNN-in se, veçse beson që është plotësisht i pafajshëm, diçka tjetër që e nxit presidentin të jetë i gatshëm të intervistohet nga Mueller është eksperienca, që ai beson se ka me paditë ligjore dhe dëshmitë nën betim, që nga koha kur ishte pjesë e biznesit të pronave të paluajtshme.

“Ai beson se mund t’ia dalë, por duket se nuk e ka të qartë sesa shumë rrezikon. Pasi paraqitesh për intervistimin nga Mueller, nuk ka kthim pas. Nuk mund të çohesh e të ikësh”, citon CNN një nga burimet e tij.

Megjithatë, ndërsa presidenti duket i gatshëm të takojë ballë për ballë prokurorin special, Robert Mueller, ai nuk ka injoruar korin e njerëzve pranë tij, avokatë, miq dhe ligjvënës, që e këshillojnë ta shmangë këtë.

Burimet e CNN-it thonë se Mueller nuk ka kërkuar formalisht intervistimin e presidentit dhe zor se kjo do të ndodhë për disa javë. Bisedimet deri tani kanë qenë informale dhe, megjithëse avokatët e Trumpit nuk janë dakord për një intervistë vullnetare, ka mundësi të arrihet një marrëveshje për disa kufizime, si një intervistë me shkrim apo pyetje për tema të limituara.

Ndërsa Trump është i palëvizshëm në besimin e tij se nuk ka pasur bashkëpunim me rusët, disa aleatë të tij besojnë se, në rast të marrjes në pyetje nga Mueller, ky i fundit mund t’i nxjerrë gjëra presidentit që ta bëjnë të prekshëm nga hetimi për pengim të drejtësisë.

Top Channel