Motra e Kim Jong-un, në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës Dimërore

07/02/2018 10:13

Motra me shumë ndikim e udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong-un, do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, të premten në Korenë e Jugut.

Kim Yo-jong, drejtuese e lartë e Partisë së Punëtorëve, u promovua vitin e kaluar në radhët e Komitetit të fuqishëm Qendror të vendit, apo Byrosë Politike siç njihet ndryshe, e do të bëhet e para pjesëtare e familjes së Kim që do të kalojë tani shpejt kufirin.

Dy shtetet fqinje do të marshojnë nën një flamur të përbashkët në çeljen e Olimpikeve Dimërore.

Pjesëmarrja e Penianit është komentuar gjerësisht si sinjal për shkrirjen e akujve në marrëdhëniet e tensionuara dypalëshe, por Shtetet e Bashkuara, Japonia e disa vende të tjera nuk binden për qëllimet e mira të Veriut komunist, e thonë se këto Lojëra ai po i përdor thjesht për arsye propaganduese.

Kim Yo-jong, 4 vite më e vogël sesa i vëllai, thuhet të jetë shumë afër tij dhe prej disa vitesh ka tërhequr vëmendjen, për faktin se për detyrë kryesore kishte mbrojtjen e imazhit të Kim Jong-un përmes rolit të saj në Departamentin e Propagandës së partisë.

Top Channel