Gjermani, arrihet marrëveshja për koalicionin e madh qeverisës

07/02/2018 13:57

Pas një nate të gjatë negociatash, marrëveshja e koalicionit të madh në Gjermani arriti të marrë formën e saj përfundimtare.

Lajmin e përcolli e para e përjavshmja “Der Spiegel”, që pretendon se është gjetur kompromisi edhe për ndarjen e ministrive, e thotë se Angela Merkel i ka lëshuar socialdemokratëve portofolin e Ministrisë së Jashtme, asaj të Financave dhe të Punës. CSU-ja merr Ministrinë e Brendshme, ndërsa konservatorët e Merkelit mbajnë ato të Ekonomisë dhe Mbrojtjes. “Der Bild” shkruan se shefi i ri i diplomacisë gjermane mund të jetë vet Martin Schulz.

Mënyra sesi do të ndaheshin ministritë përbënte në fakt njërën prej pengesave më të mëdha drejt krijimit të koalicionit me partinë e Martin Schulzit, që do t’i japë fund boshllëkut 4-mujor të pushtetit pas zgjedhjeve të shtatorit, të cilat nuk prodhuan një fitues të qartë.

Bisedimet maratonë mes negociatorëve nisën që mëngjesin e së martës e nuk ndalën deri në prodhimin e një rezultati përfundimtar. SPD-ja e përjashtoi fillimisht rikthimin në qeveri, në krah të CDU-së së Merkelit dhe partisë së saj simotër bavareze, CSU.

Por tani, pas një bllokimi disamujor, shpresat janë që deri për Pashkë, Gjermania të bëhet me ekzekutiv të ri. Fjala e fundit do t’i mbetet sërish 460 mijë pjesëtarëve të SPD-së, të cilet do të duhet ta tregojnë përmes votës me postë nëse e pranojnë marrëveshjen e koalicionit, por në këtë pikë, një hap i tillë mund të konsiderohet thjesht formalitet.

Top Channel