Mesfushori i Manchester United, Ander Herrera është mes 36 futbollistëve të përfshirë në supergjyqin për trukime në futbollin spanjoll, e së bashku me emra të tjerë të njohur si Gabi i Atleticos së Madridit, apo trajneri Javier Aguirre, do të thirren për të dëshmuar.
Një ndeshje famëkeqe në majin e vitit 2011 është baza e çështjes në fjalë, pasi asokohe fitorja e Real Zaragozës në fushën e Levantes me shifrat 2-1 mbajti ekipin mik në La Liga.
Ai 90-minutësh i inkriminuar çoi më pas në rënien nga elita e futbollit spanjoll të Deportivo La Corunas, që dokumentoi përmes fakteve se ndeshja ishte manipuluar.
Raportimet në Spanjë tregojnë se Zaragoza ka paguar një milion euro për 9 futbollistë të saj, si dhe trajnerin Javier Aguirre, që ata të mund ta justifikonin llogarinë si bonus.
Ndërkohë, gazeta “El Pais”, në një investigim të saj thotë se paratë u përdorën për të korruptuar kundërshtarët, në një xhiro të pistë milionash që solli edhe rënien e La Corunas nga kampionati spanjoll.
Gjyqi pritet të nisë brenda pak javësh dhe Herrera e Gabi do të japin dëshmitë e tyre për ndeshjen e manipuluar.
(Shënim: Në video, highlights-et e sfidës së dyshuar për trukim)
Top Channel