Britani, urdhërarresti ndaj Assange mbetet i vlefshëm

06/02/2018 17:00

Urdhërarresti nga Britania e Madhe kundër Julian Assange është ende i vlefshëm. Ky është vendimi i gjykatës “Westminster Magistrates’s Court”.

Avokatët e themeluesit të “Wikileaks”-it kishin kërkuar në gjykatë tërheqjen e urdhërarrestit, me pretendimin se ai “e kishte humbur tashmë qëllimin”.

Fletarresti është lëshuar në vitin 2012, pasi Assange pretendohet të ketë shkelur kushtet e lirimit me kusht, duke kërkuar azil në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku qëndron edhe sot e kësaj dite.

Ai përballet me mundësinë e ekstradimit në Suedi për t’u gjykuar mbi akuzat për ngacmime seksuale, por këto akuza në vendin skandinav kanë rënë.

Në vendimin e gjykatës britanike, gjykatësja Emma Arbuthnot tha se, pasi kishte marrë në konsideratë të gjitha argumentet, ajo nuk ishte “bindur” se urdhri duhej tërhequr.

Ajo tha në gjykatë se, mosdorëzimi gjatë lirimit me kusht është një shkelje e pavarur, sipas Aktit të Lirimit me Kusht, ndaj dhe Assange duhet të shpjegojë se përse dështoi ta përmbushte këtë. Kjo shkelje dënohet me maksimumin një vit burgim.

Më herët gjatë këtij muaji, qeveria britanike refuzoi t’i jepte Assange statusin diplomatik dhe i bëri thirrje që të dilte nga Ambasada e Ekuadorit, për t’u përballur me drejtësinë. Megjithatë, themeluesi i “Wikileaks” duket se nuk i druhet kësaj akuze, por faktit se, nëse del nga Ambasada ekuadoriane, do të ekstradohet për në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me gjyqin për rrjedhjen e qindra mijëra dokumenteve sekrete ushtarake dhe diplomatike amerikane.

Në prill të vitit të kaluar, kryeprokurori amerikan Jeff Sessions tha se arrestimi i tij ishte një “prioritet”, e për këtë arsye Britania e Madhe ka refuzuar të japë garanci se ai nuk do të ekstradohet.

Top Channel