Letra mbi abuzimet në Kili, në kontradiktë me versionin e Papa Françeskut

05/02/2018 18:56

Viktima e një prifti pedofil në Kili tregoi se i kishte shkruar Papa Françeskut në vitin 2015 për mbulimin e këtyre krimeve, pasi Ati i Shenjtë mohoi që të kishte marrë prova për këtë.

Juan Carlos Cruz, një viktimë e klerikut Fernando Karadima në vitet 1980, akuzoi kolegun e dhunuesit të tij, priftin Juan Barros, se ishte dëshmitar i abuzimeve dhe nuk bëri asgjë.

Papa shkaktoi mjaft zemërim gjatë vizitës së tij në Kili, muajin e shkuar, duke mbrojtur tashmë peshkopin Juan Barros, që e mori këtë post në vitin 2015.

Në letrën e shkruar nga viktima e dhunës seksuale të prifitit Karadima, drejtuar personalisht Papës, përshkruhet tragjedia që ai dhe të tjerë si ai përjetuan në moshë fare të vogël, për më tepër edhe për vet faktin se peshkopi Barros mbuloi gjithçka.

Në letër shkruhet se peshkopi Barros, jo vetëm që dinte gjithçka, por kishte qenë i pranishëm dhe kishte parë me sytë e tij shumë raste abuzimesh. Letra iu dërgua Papës në vitin 2015, dy javë para se Barros të bëhej peshkop i qytetit të Osornos në Kili, ku ceremonia e emërimit të tij u shqetësua nga protestat.

Vatikani refuzoi që të komentojë për letrën, pas interesimit nga mediet. Në janar, gjatë vizitës së tij në Kili, Papa Françesku e mbrojti peshkopin Barros dhe tha se kundër tij nuk ka asnjë provë, duke zemëruar tej mase kilianët.

Vet peshkopi Barros ka mohuar gjithnjë dijeninë për abuzimet e kryera nga Karadima, i cili në Kili nuk u gjykua kurrë për shkak të kohës së kaluar, ndërsa Vatikani e ndëshkoi që të pendohet dhe lutet gjatë të gjithë jetës.

Top Channel