Lëvizja Vetëvendosje deklaroi nuk do ta votojë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi në formën e saj aktuale, e shkon më tej duke kërkuar nga Prokuroria e Shtetit nisjen e një hetimi mbi ish-anëtarët e Komisionit dhe nënshkruesit e paktit.
Në një konferencë për shtyp, deputetët e kësaj force politike, Arbërie Nagavci dhe Ali Lajçi njoftuan se Komisioni i ri ka gjetur gabime në versionin e tanishëm të kësaj ujdie, i cili i heq territorit të vendit 5 apo 6 kilometra.
“Komisioni ynë konstaton se vija kufitare në marrëveshjen për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, arritur në Vjenë më 26 gusht 2016, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-krahinës socialiste autonome të Kosovës, prandaj kjo marrëveshje nuk duhet të vijë në Kuvend”, tha Arbërie Nagavci, VV.
Deklarata vjen në ditën kur mediet vendase citojnë raportuesin për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Sholtes, të pohojë se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe homologut të tij malazez, Dushko Markoviç, të martën në Prishtinë do të jetë një mundësi e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë, e cila t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave.
Sholtes i ka thënë të përditshmes malazeze “Pobjeda” se, topi tashmë është në fushën e politikanëve të Kosovës, të cilëve u duhen dy të tretat e votave në Parlament për ta ratifikuar marrëveshjen.
Top Channel