Reshje të dendura shiu munduan mbrëmjen e së shtunës disa zona të Kosovës.
Deçani u përball me një vërshim të vrullshëm ujrash, por nuk ishte më e mirë gjendja as në Kaçanik. Pamjet filmike amatore tregojnë rrugët të mbushura me ujë, ndërsa shiu dukej se nuk kishte të sosur. Rrugët e dy lagjeve të Kaçanikut ishin mbuluar krejtësisht nga uji, duke e bërë të pamundur, sipas banorëve, ecjen në këmbë.
Por, problemet nuk përfundojnë këtu. Shirat e rrëmbyer janë bërë shkaktarë të një turbullimi të ujit, çka detyroi autoritetet të ndërprisnin furnizimin me ujë të pijshëm. Uji do të rikthehet vetëm pasi të verifikohet cilësia e tij e të konsiderohet si normale.
Reshjet e mëdha kanë sjellë probleme edhe në zonën e Tetovës në Maqedoni, ku për shkak të tyre, në rrugën Shipkoviç-Brodec është qarkulluar me vështirësi, ndërsa në Poroj autoriteteve i është dashur të ndërhyjnë për të penguar daljen e lumit nga shtrati.
Kryetarja e bashkisë, Teuta Arifi njoftoi se ekipet e shërbimeve komunale janë në terren, ku po kontrollojnë situatën dhe i këshilloi qytetarët të shmangin udhëtimet në zonat e prekura nëse nuk janë të domosdoshme.
Top Channel