Cleveland dhe tifozët e tij përjetuan një mbrëmje makthi në ndeshjen e radhës së NBA.
Në “Quicken Loans Arena”, skuadra e Cavaliers u shkatërrua nga Houston me rezultatin 88-120. Skuadra teksane tregoi të gjithë forcën e saj në këtë përballje, duke regjistruar një fitore të rëndësishme. Nuk zhgënjeu në këtë sfidë Chris Paul, autori i 22 pikëve dhe 11 asist, ndërsa Harden këtë radhë u mjaftua me vetëm 16 pikë të shënuara. Për Cleveland, LeBron James ishte në ditën më të errët të tij dhe këtë e tregon fakti se ai e mbylli ndeshjen me 11 pikë e 9 topa në tabelë.
Pas kësaj fitoreje, Houston vazhdon të mbajë vendin e dytë në renditjen e Konferencës së Perëndimit.
Disfatë pësoi edhe Golden State, që u thye nga Denver me rezultatin 108-115. Për skuadrën e Warriors shkëlqeu dyshja Curry-Durant, që në total shënuan 55 pikë, por statistikat e këtyre basketbollistëve nuk i shërbyen skuadrës kampione të NBA për të evituar humbjen e 12 sezonale. Për Denverin protagonist u bë Will Barton me 25 pikë, ndërkohë që dhanë kontributin e tyre edhe Nikola Jokic me 19 pikë e Murray me 15 pikë.
Miami dhe Detroit zhvilluan një ndeshje të rivalizuar mes tyre dhe në fund ajo që mori maksimumin ishte skuadra e Pistons, që e mbylli sfidën me rezultatin 111-107. Goran Dragic ishte i papërmbajtshëm në këtë sfidë për Miami, me 33 pikë e 6 asist, shifra që rezultuan të pavlefshme për skuadrën nga Florida. Detroit iu kundërpërgjigj me Drummond me 23 pikë e 20 topa në tabelë e Smith me 25 pikë, duke regjistruar këtë fitore ndaj Miami Heat.
Top Channel