Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur në një konferencë për mediet në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së vendit, ku ka listuar disa prej arritjeve, siç i ka cilësuar ai, por ku nuk ka mundur të shmangë edhe interesin e medias për disa prej temave më të rëndësishme, si Gjykata Speciale.
“Ky 10-vjetor është i rëndësishëm për vendin, shoqërinë, për arritjet tona, por edhe moment reflektimi për lëshimet dhe dobësitë që kanë ndodhur, e për mundësinë e evitimit të tyre dhe lëvizjes përpara. Këto 10 vite kanë qenë me progres të gjithanshëm, me konsolidim të brendshëm e të jashtëm shtetëror, të 115 njohjeve ndërkombëtare, të anëtarësimit të Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare, të vazhdimit të zhvillimi ekonomik, vite të ndryshimit të Kosovë për të mirë, vite të vazhdimit të reformave në ekonomi, politikë dhe legjislacion”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.
Presidenti i Kosovës e ka quajtur këtë dekadë si atë të thellimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe NATO-n, por edhe të çtensionimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë. Në fjalën e tij, presidenti kosovar ka lavdëruar edhe punën e EULEX-it.
Sa i përket Gjykatës Speciale, kreu i Kosovës ka thënë se “askush nuk është më i qartë sesa ai” për këtë çështje.
“Unë nuk mendoj se ka qenë dikush më i qartë sesa unë. Prej fillimit të diskutimit të këtij procesi e kam thënë se është një padrejtësi historike themelimi i Gjykatës Speciale. Në veçanti kur Tribunali i Hagës sapo është mbyllur. Mbi të gjitha, Kosova ka kaluar te ky tribunal, tek UNMIK-u dhe tek EULEX-i. Kosova është mbrojtur përballë Milosheviçit. Dhe vjen një raport më i rëndësishëm sesa 400 masakra të kryera në Kosovë. Por, duke pasur parasysh rrethanat që janë krijuar dhe pozicionin e shtetit tonë, por edhe ruajtjen e partneritetit me NATO-n e Shtetet e Bashkuara, kam marrë përgjegjësinë që të diskutojmë të gjitha mundësitë e atij raporti, që për mua është fantastiko-shkencor”, ka thënë Thaçi.
Përgjegjësia e Thaçit për bisedime me Bashkimin Europian është marrë për atë që ai vet thotë se “nuk ka çfarë të fshihet”.
“Kam marrë përgjegjësinë të bisedoj me BE-në, sepse nuk kemi pasur çfarë të fshehim. Kushdo që është akuzuar nga EULEX, UNMIK-u, as nuk kanë ikur e as nuk janë fshehur. Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë dalë të pafajshëm”, ka deklaruar ai.
Top Channel