Ndalimi i makinave në Prishtinë, ajri më i pastër gjatë mbrëmjes

01/02/2018 09:14

Edhe pse mund të duket e pagjasë, duke qenë se reduktimi i qarkullimit të makinave në Prishtinë nuk ka veçse një ditë që ka hyrë në fuqi, cilësia e ajrit në kryeqytetin kosovar mbrëmjen e së mërkurës ka shënuar përmirësim.

Sipas matjeve të paraqitura nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara atje, nga rezultatet e publikuara në orën 23:00, ndotja e ajrit ishte në nivelin 97, që do të thotë mesatarisht i pastër.

Këtë mëngjes, në orën 6, niveli i llogaritur i grimcave të dëmshme ishte ulur në 74 ppm. Situata e rënduar bëri që Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, prej të mërkurës të dilnin me masa të forta për tkurrjen e fenomenit shqetësues, duke kufizuar hyrjen e makinave në kryeqytet.

Efekti duket ka nisur të ndihet, edhe pse me pasoja për qytetarët, që janë detyruar të lënë mjetet e tyre e të përdorin autobusët e mbushur plot, të cilët i kanë në dispozicion falas.

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar masat që duhet të ndërmerren lidhur me këtë problem të ngutshëm. Në mesin e propozimeve të paraqitura për shqyrtim është edhe ndërprerja e procesit mësimor në shkolla, me qëllimin të ruhet shëndeti i fëmijëve.

Matjet e përditshme të cilësisë së ajrit në kryeqendrën e Kosovës treguan se, kohët e fundit ka pasur rritje të grimcave të pluhurit disa herë më shumë sesa masa e lejuar.

Kjo ka bërë që Prishtina të lërë prapa shumë qytete të botës, që shquhen për shkallën e lartë të ndotjes së mjedisit. Të mërkurën, qindra qytetarë protestuan para selisë së Qeverisë, duke kërkuar që kundër ndotjes së ajrit të merren masa urgjente.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA