Plani i Komunës së Prishtinës për reduktimin e nivelit të ndotjes nisi nga zbatimi orët e para të kësaj të mërkure, ashtu siç ishte parashikuar. Synimi i tij është të reduktohet numri i automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet.
Për këtë arsye është vendosur të respektohen afatet kohore 06:00-09:00 dhe 16:00-22:00, gjatë të cilave do t’i ndalohet lëvizja makinave që mbërrijnë nga zona të tjera.
Por lehtësimi i qarkullimit mund të realizohet edhe përmes seleksionimit të qarkullimit të mjeteve në bazë të numrit të targës, për shembull, targat që numrin e fundit e kanë tek do të lëvizin në datat teke.
Vendimi, padyshim nuk prek autoambulancat, mjetet e policisë e ato të misioneve diplomatike apo zyrtarëve të tjerë.
Niveli i ndotjes në Prishtinë ka mbërritur përmasa shqetësuese, e pavarësisht hapave të qeverisë, një grup qytetarësh të kryeqytetit kanë organizuar një protestë përpara Teatrit Kombëtar për të shprehur pakënaqësinë e tyre, e për të evidentuar njëkohësisht faktin që sot po e vënë re më shumë se kurrë ndikimin e smogut në jetën e tyre.
Për drejtuesit e makinave, që do të detyrohen të parkojnë në periferi, lëvizja drejt qendrës do të kryhet falas me mjete të transportit publik, e finacuar nga Qeveria e Kosovës. Pjesë e masave është edhe ndalimi i shitjes së qymyrit, të konsideruar si një prej ndotësve më të mëdhenj mjedisorë, ndërsa nga e enjtja do të hidhen në aksion edhe inspektorët e Komunës.
Top Channel