Ulja e mjeteve që qarkullojnë në Prishtinë është parë nga zyrtarët lokalë dhe ata qeveritarë si një mënyrë për të lehtësuar ndotjen e madhe të ajrit në kryeqendrën e Kosovës.
Plani i kreut të Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, është të reduktohet numri i makinave që hyjnë brenda ditës në Prishtinë, e kjo duhet të nisë nga e mërkura.
Personave të prekur nga një masë e tillë do t’iu sigurohet falas transporti urban për në kryeqytet, ndërsa automjetet e tyre do t’i lënë në parkingjet e periferisë.
Masat e tjera parashikojnë ndalimin e shitjes së ndotësit të madh, qymyrit, dhe përdorimit të tij në banesa e lokale për ngrohje.
Smogu që ka pushtuar Prishtinën është kthyer në shqetësim aq të madh për banorët, sa detyroi Kryesinë e Kuvendit të Kosovës të vendosë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, të mërkurën në orën 15:00, për aprovimin e një rezolute mbi masat e mbrojtjes nga ky fenomen.
Ligjvënësit pritet të miratojnë një strategji afatgjatë, përmes së cilës të përcaktohen qartë detyrimet që rëndojnë ndaj të gjithë institucioneve kyçe shtetërore: Kuvendi, Qeveria dhe komunat, që secila të hedhë hapat e nevojshme në drejtim të mbrojtjes së ambientit.
“Në mëngjes kemi parë fëmijë të shkojnë në shkollë me maska, – ishte argumenti i kryeparlamentarit Kadri Veseli, – e kjo nuk është aspak e mirë për vendin”.
Në botë, sinonimi i ndotjes së skajshme ka qenë prej kohësh Pekini i munduar nga smogu i dendur, por masat e qeverisë kineze, të intensifikuara ndjeshëm vitet e fundit, kanë dhënë rezultate të prekshme, si pasojë e të cilave kryeqyteti kinez po shijon një numër të madh ditësh me cilësi ajri më të mirë.
Top Channel