Bostoni e harroi shpejt disfatën me Golden State dhe u rikthye te fitorja, pasi mposhti Denverin 111-110, duke ndërprerë serinë e 3 fitoreve radhazi të kësaj të fundit.
Në “Pepsi Center”, më i miri në parket ishte padyshim Kyrie Irving, i cili shënoi 27 pikë, duke e drejtuar Bostonin drejt suksesit. Por Irving nuk ishte i vetëm në këtë fitore të Celtics. Ata që dhanë kontributin e tyre ishin edhe Tatum, me 20 pikë, e Morris me 14.
Për Denverin spikatën Jokiç, me 24 pikë e 11 topa në tabelë, Lyles me 20 pikë e Barton me 19.
Boston e mbylli në avantazhin e 11 pikëve periodën e parë, ndërkohë që 12-minutëshi i dytë ishte më i ekuilibruar. Denveri reagoi dhe në fillimin e periodës së katërt mori kryesimin me 2 pikë diferencë. Vendimtar për Bostonin në këtë ndeshje u bë Brown, që në fundin e sfidës u tregua i saktë në gjuajtjen e tij nga distanca e 3 pikëve.
Momenti i mirë i Indiana Pacers vazhdon ende, e në “Bankers Life Fieldhouse” të Indianapolis fitoi ndaj Charlotte 105-96, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi.
Protagonisti për Pacers u bë Victor Oladipo, që e mbylli ndeshjen me 25 pikë, ndërkohë që bënë një paraqitje shumë të mirë edhe Turner, me 22, e Young me 16 pikë.
Për Charlotte, 23 pikët e Walker dhe 22 të Howard nuk shërbyen për të evituar humbjen, me Hornets që e shohin veten në vendin e 11 në Konferencën e Lindjes, ndërkohë që Indiana është e 7-a.
Në ndeshjet e tjera të NBA-së, Atlanta fitoi ndaj Minnesotës 105-100, Phoenix humbi ndaj Memphisit 109-120, Milwaukee mundi Philadelphian 107-95, ndërsa Miami mposhti Dallasin 95-88.
Top Channel