Talebanët, tjetër sulm në Kabul: 63 të vdekur e 151 të plagosur

27/01/2018 10:59

Vetëm një javë pas mësymjes së Hotelit Interkontinental, Kabuli është tronditur nga një tjetër sulm kamikaz, i cili ka marrë 63 jetë njerëzish e ka plagosur 151 të tjerë.

Agresorët përdorën një autoambulancë për të vënë në jetë planin e tyre vrastar. Mjetin e mbushur me eksplozivë e hodhën në erë pranë një postblloku të ndodhur në afërsi të ish-selisë së Ministrisë së Brendshme, që sot strehon zyrat e Këshillit të Lartë të Paqes dhe ato të BE-së.

Talebanët nxituan të marrin përgjegjësinë e atij që konsiderohet si sulmi më vdekjeprurës prej muajsh të tërë në vend.

Dëshmitarët okularë rrëfejnë se zona, ku ndodhen selitë e huaja diplomatike dhe zyrat qendrore të policisë, gëlonte nga njerëzit në momentin e shpërthimit të autobombës.

Talebanët, që kërkojnë rivendosjen e variantit të tyre të ashpër të ligjit islamik në mbarë vendin, i kanë përshkallëzuar ndjeshëm goditjet e tyre kohët e fundit.

Në muajin tetor, 176 persona u vranë brenda një jave të vetme nga sulmet me bomba në të gjithë Afganistanin, e majin e vitit të kaluar, 150 vetë humbën jetën nga një sulm kamikaz në Kabul, për të cilën talebanët nuk e pranuan përgjegjësinë e drejtpërdrejtë, por qeveria do të sqaronte më vonë se pas ngjarjes qëndronte një organizatë e lidhur me ta, i ashtuquajturi grupi “Haqqani”.

Top Channel