Pas humbjes 2-1 që pësoi në fushën e ndjekësve më të afërt, Lionit, një javë më parë, kryeqytetasit e Paris SG janë rikthyer te fitorja, me një “poker” të realizuar ndaj Montpellier në sfidën e javës së 23-të të Ligue 1.
Dy herë Neymar, nga një gol në secilën pjesë, i pari me 11-metërsh, si dhe golat e sulmuesve të tjerë Cavani e Di Maria kompletuan suksesin e parizienëve në “Parc des Princes”, të cilët ngjiten kështu në kuotën e 59 pikëve, 11 më shumë sesa Lioni e 13 nga Monako, kampione e Francës në fuqi.
Edinson Cavani hyn në historinë e klubit parizien, duke u bërë golashënuesi më i mirë i historisë me 157 gola, një më shumë sesa Zlatan Ibrahimoviç.
Edhe kampionati francez, sikurse spanjolli e gjermani, duket se po shkon drejt “hipotekimit” të kampionit të këtij sezoni, pasi gara për titull nuk ka rivalitet.
Lufta e ashpër po zhvillohet mes Lionit, Marsejës dhe Monakos për kupat e Europës, me njërën prej skuadrave që do të kualifikohet drejtpërdrejt në fazën e grupeve, një tjetër në “play off”-et e Championsit, ndërsa ajo me më pak fat e rezultate më të dobëta do të mbetet në Europa League.
Top Channel