Atalanta, fitore e merituar dhe e ndihmuar nga VAR-i përballë Sassuolos

27/01/2018 19:59

Nëse sheh rezultatin, të duket si një fitore e arritur me lehtësi. Por ajo e Atalantës në transfertë ndaj Sassuolos, në ndeshjen e parë të pasdites së kësaj të shtune për javën e 22-të të Serie A i kishte të gjitha brenda.

Dy gola të shënuara pa “kontestime”, meritë e Masiellos dhe Cristantes, një gol i anuluar i këtij të fundit pas verifikimit të pamjeve të videoasistentit (VAR), një tjetër i akorduar vetëm pas shqyrtimit të VAR-it nga gjyqtari Paolo Valeri në minutat e fundit të ndeshjes, me autor Freuler, e sigurisht edhe 6 minuta shtesë si pasojë e vonesave të lojës, që në fakt u bënë 8 pasi Sassuolo mbeti në inferioritet numerik.

Atalanta triumfon kështu 3-0 ndaj Sassuolos, duke kapërcyer Milanin në renditje në kuotën e 33 pikëve, dy më shumë sesa kuqezinjtë që do të impenjohen të dielën në “San Siro” ndaj Lacios.

Në mbrëmje pritet me interes sfida mes Chievos dhe Juventusit, me bardhezinjtë që do të tentojnë të ngjiten në krye të Serie A, qoftë edhe vetëm për një natë, me Napolin që pret të dielën Bolognën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA