Haradinaj për Specialen: Nuk i japim llogari ambasadorëve

24/01/2018 23:41

Qeveria i jep llogari parlamentit dhe jo ambasadorëve. Kështu u shpreh kryeministri kosovar Ramush Haradinaj për gazetarët në Prishtinë, pas reagimeve të shumta të diplomatëve të huaj, lidhur me nismën për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Speciale.

Haradinaj deklaroi se nisma rrjedh nga parlamenti dhe sipas tij qeveria respekton parlamentin.

“Parlamenti na ka zgjedhur neve dhe vetëm parlamentit i japim llogari, nuk i japim llogari ambasadorëve, mos harroni këtë. Do të thotë qeveria i jep llogari parlamentit. Ambasadorëve u japim llogari për marrëdhënie diplomatike dhe në marrëdhënie me shtete, por ne nuk i kemi punëdhënës ata. Ne punëdhënës i kemi deputetët dhe sillemi me respekt ndaj tyre”, u shpreh Ramush Haradinaj.

Ai bëri të ditur se nisma për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme ka mbërritur në qeveri, ku ditë më parë është dërguar nga kryesia e parlamentit të Kosovës.

Kosova po përballet me kritika të ashpra nga faktorët ndërkombëtarë pas nismës për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale. Diplomatët amerikanë dhe evropianë paralajmëruan udhëheqësit dhe deputetët për pasoja të rënda nëse nisma do të miratohet.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova u shpreh më herët se shfuqizimi i ligjit për Gjykatën e Posaçme do të ndikonte në rrugën evropiane të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA