Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian kanë hequr tetë vende nga lista e zezë e atyre që konsiderohen si parajsa fiskale, përfshirë këtu edhe të shumë kritikuarën Panama.
Ministrat thanë se juridiksionet janë angazhuar se do të bëjnë reforma që plotësojnë standardet e BE për transparencën e taksave. Por, natyra e këtyre reformave nuk është ende e njohur.
“Disa vende janë hequr nga lista e zezë dhe janë zhvendosur në listën gri”, tha komisioneri evropian për taksat Pierre Moscovici.
“Lista gri përbëhet nga më shumë se 50 territore apo shtete, por angazhimet që ata kanë marrë përsipër duhet të bëhen publike në mënyrë që të vlerësohen dhe të kontrollohen”.
Për momentin, ka vetëm nëntë juridiksione në listën e zezë të parajsave fiskale, që u hartua nga BE në dhjetor. Kritikët thonë se kjo listë, në mënyrë të padrejtë, godet vendet në zhvillim dhe ato që nuk janë pjesë e BE.
Ministrat e bashkimit evropian thonë se angazhimi për reforma tregon se procesi po funksionon por aktivistët dhe ligjvënësit kërkojnë që detajet e këtyre angazhimeve të bëhen publike. Vendet mund të rikthehen në listën e zezë nëse dështojnë në përmbushjen e ndryshimeve të premtuara. Juridiksionet që janë ende në listën e zezë përfshijnë Bahreinin, Shën Lucinë dhe Namibinë.
Top Channel