Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane pritet të përfundojë, pasi republikanët dhe demokratët në senat votuan për aprovimin e projektligjit për financimin e përkohshëm të saj.
Pas votimit me 81 vota pro dhe 18 kundër, kreu i demokratëve Chuck Schumer tha se rihapja e qeverisë do të bëhet brenda pak orësh. Schumer njoftoi arritjen e një kompromisi me republikanët pas bisedimeve disa orëshe me kreun e tyre, Mitch Mc Conell.
Demokratët kishin refuzuar të votonin një paketë për rihapjen e qeverisë në mungesë të garancive të forta mbi fatin e rreth 700 mijë emigrantëve që kanë mbërritur në mënyrë të paligjshme në SHBA, kur ishin fëmijë.
“Pas shumë diskutimesh, propozimesh e kundër-propozimesh, lideri i republikanëve dhe unë arritëm një marrëveshje”, u shpreh Schumer, i cili shtoi se do të votonin për rihapjen e qeverisë e për të vazhduar negociatat mbi një marrëveshje globale për të ashtuquajturit ‘dreamer’, siç i referohen emigrantëve të paligjshëm.
Ai kritikoi presidentin Donald Trump, i cili siç tha, nuk kishte ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe. Marrëveshja parashikon një financim të përkohshëm të qeverisë, deri në 8 shkurt dhe një debat të vërtetë lidhur me çështjen e emigrantëve. Mbyllja e pjesshme e qeverisë nisi mesnatën e së shtunës dhe pengoi qindra mijëra persona të shkonin në punë.
Top Channel