Vrasja e Oliver Ivanoviçit mbizotëron në mënyrë të pashmangshme lajmet e medies kosovare e asaj serbe.
Beogradi është hedhur në sulm duke kërkuar me ngulm të tregojë se ekzekutimi i politikanit të njohur serb në Veriun e Kosovës nuk është vepër e një serbi. Këmbënguljes së tij për pjesëmarrje në hetime, Prishtina zyrtare iu përgjigj duke i treguar se do të informohet për çdo të re, por nuk do të përfshihet në hetim.
Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, nëse do të jetë e nevojshme do të kërkohet edhe ndihma e FBI-së. Viktima e parë e kësaj situate u bë dialogu Kosovë-Serbi, i cili sipas drejtorit të zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç, nuk do të vazhdojë deri në momentin që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.
Raportet në shtypin kosovar tregojnë se fundjavën e ardhshme, ai do të vizitojë Kosovën së bashku me presidentin Aleksandar Vuçiç, të cilit qeveria në Prishtine ia ka dhënë tashmë lejen për këtë lëvizje.
Gazetari britanik Tim Judah, njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan, thotë se qytetarët që jetojnë në Mitrovicën e Veriut besojnë që fajtorët e kësaj vrasjeje të bujshme janë në veri të Kosovës.
“Gjurmët shkojnë nga Veriu, jo nga Jugu”, shkroi ai në “Twitter”, duke hequr paralele me vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija në vitin 1999, me shumë gjasë nga Shërbimi sekret Serb.
Raporti i autopsisë tregoi se 64-vjeçari Ivanoviç u qëllua për vdekje me 6 plumba, nga një pistoletë e tipit “Zastava M70A”, prodhim serb. Në katin e dytë të selisë së partisë së tij, “Liria, Demokracia, Drejtesia (SDP)” ka qenë e vendosur një kamera sigurie dhe ekspertët do të shohin nëse ajo ka regjistruar momentin e të shtënave.
Shtypi i huaj i bëri jehonë kësaj ngjarjeje, duke u fokusuar te pasojat që mund të ketë ajo për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkon më tej duke e cilësuar këtë episod si një “vrasje në bastionin e mafias ballkanike”.
BE-ja dhe NATO ndërkohë presin që në Kosovë të ruhet qetësia, pas ngjarjes së ndodhur pikërisht në ditën kur në Bruksel, dialogu duhej të rifillonte në nivel ekspertësh. Me kërkesë të anëtarëve të familjes së tij, Ivanoviç do të varroset në Beograd.
Top Channel