Vetëm pak ditë përpara vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë kishte lëshuar një paralajmërim në faqen e saj zyrtare drejtuar shtetasve amerikanë që jetojnë e punojnë në Kosovë.
Në të paralajmërohej të rishikoheshin të gjitha udhëtimet drejt pjesës veriore të Kosovës, për shkak të rrezikut në rritje për sulme terroriste, duke përfshi këtu Mitrovicën e Veriut, Leposaviçin, Zubin Potokun dhe Zveçanin, ku priteshin trazira.
“Grupe terroriste vazhdojmë të komplotojnë sulme të mundshme në rajonin e Ballkanit, përfshi Kosovën. Terroristët mund të sulmojnë pa paralajmërim, të shënjestrojnë vendet e frekuentuara nga turistët, qendrat kryesore të transportit, qendrat tregtare, godinat e qeverisjes lokale, hotelet, klubet, restorantet, vendet e shenjta, parqet, eventet madhore sportive apo kulturore, institucionet e edukimit, aeroportet dhe vende të tjera publike”, thuhet në paralajmërimin e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit që më 10 janar.
Shtuar kësaj, veprime të dhunshme të motivuara politikisht mund të ndodhin në Kosovë. Tensionet brenda dhe ndërmjet komuniteteve në veri të Kosovës vazhdojnë të provokojnë akte dhune, demonstrata, dhe trazira në 4 kryeqendrat e veriut të Kosovës.
“Edhe pse trazirat e fundit kanë qenë të motivuara politikisht dhe nuk kanë përfshirë turistët apo pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar, kalimtarë të rastit mund të dëmtohen nëse nisin aktet e dhunshme. Qeveria amerikane ka kapacitete të kufizuara të ofrojë shërbime emergjence për shtetasit amerikanë në veri të Kosovës, pasi udhëtimi i punonjësve qeveritarë amerikanë në Mitrovicën e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan është i ndaluar”, përfundon paralajmërimi.
Top Channel