Policia e Kosovës: Autorët, të panjohur. Vijojnë hetimet

16/01/2018 11:15

Vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviç ka tashmë edhe një version zyrtar, të konfirmuar nga Policia e Kosovës, sipas së cilës autorët janë ende të panjohur, por që mbetet e përkushtuar për zbardhjen e këtij rasti dhe çuarjen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.

Sipas komunikatës së Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 8:10 të mëngjesit të kësaj të marte në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, incident ku janë përdorur armë zjarri e ku ka mbetur i plagosur Oliver Ivanoviç në afërsi të zyrës së tij të punës.

Viktima është dërguar menjëherë në Qendrën Spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, por mjekët kishin konstatuar vdekjen e tij.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, janë gjetur prova materiale dhe po vijojnë procedurat hetimore.

Ndërkohë, në orën 9:15, në rrugën “Vojvode Putnika”, sërish në pjesën veriore të Mitrovicës, është gjetur një automjet “Opel Astra” pa targa, të cilës i ishte vënë zjarri. Policia e Kosovës dyshon se kjo mund të jetë e lidhur me vrasjen e politikanit serb.

Gjithsesi për rastin në fjalë është informuar edhe Prokurori i Shtetit, si dhe ai i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i cili doli në vendngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA