Ligjvënësit kosovarë kthehen në punë më 15 janar pas pushimeve të dimrit, e të hënën Komisioni parlamentar për Punët e Jashtme do të diskutojë mbi marrëveshjen e shenjimit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, ku do të vendoset procedimi i mëtejshëm në seancën e radhës.
Debatet mbi shfuqizimin e Gjykatës Speciale e kanë errësuar disi çështjen tjetër kyçe për avancimin e Kosovës drejt BE-së. Por ministrja e atjeshme e Integrimit, Dhurata Hoxha e riktheu në vëmendje marrëveshjen e Demarkacionit, me thirrjen që ujdia të marrë më në fund mbështetjen e deputetëve dhe të aprovohet në Kuvend.
“U bë një kohë mjaft e gjatë pas vendimit të fundit, kur Kosovës iu dha rasti që me përmbushjen e dy kushteve të mbetura të mund të gëzojë procesin e lëvizjes së lirë, procesin e liberalizimit të vizave”, është shprehur ministrja.
“Por fatkeqësisht kjo situatë u tejzgjat, – shton ajo. – Ne duhet ta zgjidhim këtë ngërç dhe t’iu ofrojmë qytetarëve lirinë e lëvizjes”.
Deputetët e partive politike në pushtet, sakaq, por edhe ata të opozitës kërkojnë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe kryeministri Ramush Haradinaj, të nisin bisedimet me përfaqësuesit e forcave politike serbe për ndryshimet kushtetuese lidhur me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Kosova, sipas tyre, tani është gati për ushtrinë e saj dhe këmbëngulin që transformimi i FSK-së nga mision civil në ushtarak të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Top Channel