BE paralajmëron sërish Kosovën për shfuqizimin e Speciales

12/01/2018 20:05

Zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë, si dhe misionet diplomatike të vendeve të BE-së paralajmëruan sërish të premten mbi pasojat që mund të ketë shfuqizimi i Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte në Kosovë.

“Nisma, ende në pritje, është jashtëzakonisht shqetësuese për Bashkimin Europian dhe vendet anëtare”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar të premten.

Në të theksohet se, në vitin 2014 Kosova u angazhua me Bashkimin Europian për ngritjen e gjykatës, në atë që diplomatët europianë e panë si hap të rëndësishëm për të dëshmuar përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit.

“Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”, thuhet në deklaratë.

Prandaj, Bashkimi Europian u bën thirrje “nismëtarëve të saj në Parlament që ta tërheqin atë”.

Po ashtu, BE-ja mirëpret ngritjen e zërit nga media dhe shoqëria civile kundër kësaj “nisme të dëmshme”, siç e quan, ndërsa thekson “mbështetjen e BE-së ndaj përparimit të Kosovës në integrimin e saj europian”.

Më 22 dhjetor, një grup prej 43 deputetësh propozoi nismën për shfuqizimin e ligjit mbi Gjykatën e Posaçme, që do të hetojë pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA